Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, pas publikimit të rezultateve të “referendumit”, respektivisht zgjedhjeve lokale.
Në reagimin e tyre, VLEN thekson se pretendimet e Ahmetit për fitore në zgjedhjet komunale janë “absurde” dhe se realiteti politik në terren tregon një rënie të ndjeshme të mbështetjes për BDI-në.
“Pas pesë ditësh, Ali Ahmetit më në fund ia treguan përgjigjen e ‘referendumit’. Dhe ja, doli e tha se paskan fituar në zgjedhjet komunale. Kjo është absurde,” thuhet në reagim.
Sipas VLEN-it, rezultatet në shumicën e komunave shqiptare dëshmojnë një ndryshim të madh politik.
“Fitoret e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë, Tearcë dhe epërsia bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen janë shumë më të mëdha se ‘fitorja’ në Pllasnicë dhe Likovë,” thekson koalicioni.
VLEN vlerëson se BDI nuk ka nxjerrë mësim nga “referendumi” dhe se vazhdon ta trajtojë çdo proces zgjedhor si garë për pushtet qendror. “Për 20 vjet, politika e Ali Ahmetit është ndërtuar mbi dy shtylla: pushtet dhe… pushtet,” thuhet në deklaratë.
Sa i përket “vetingut” që kërkon Ahmeti, VLEN ironizon duke thënë se “atë ia ka bërë hija e tij, Artan non grata Grubi”, për të cilin Ahmeti vazhdon të pretendon se “është i pastër si loti”.
Në fund, koalicioni i dërgon një mesazh të qartë liderit të BDI-së.
“Para se të kërkojë zgjedhje të parakohshme, Ali Ahmeti duhet të pyesë veten nëse mund të përballet me votën e lirë të shqiptarëve që nuk i frikësohen më. Koha e Gazimestanit ka mbaruar. VLEN është e sotmja. BDI është e djeshmja.”
