VLEN: 12 qershori, simbol i qëndresës dhe triumfit të shqiptarëve, Kosova është realitet i pakthyeshëm

Shpërndaje

Delegacioni i lartë i koalicionit VLEN, i përbërë nga krerë të partive përbërëse dhe përfaqësues institucionalë, mori pjesë në aktivitetet zyrtare të organizuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të vendit.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm për historinë e kombit shqiptar, VLEN shpreh nderim dhe mirënjohje për sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, martirëve të lirisë dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për idealin e lirisë dhe të shtetformimit.

12 qershori është ditë simbolike që shënon fundin e një epoke të errët pushtimi dhe lindjen e një shprese të re për shqiptarët e Kosovës. Është dita kur Kosova e shqiptarisë u çlirua përfundimisht nga okupatori shekullor, i cili me dhunë, masakra dhe gjenocid synoi fshirjen e çdo gjurme shqiptare nga trojet tona.

Sot, Kosova është një realitet i pakthyeshëm, një shtet demokratik, sovran dhe i sigurt, një akt madhor i historisë që përkundër përpjekjeve të armiqve dhe dorës së tyre të zgjatur, që vepron shpesh edhe në emër të shqiptarëve, do të mbetet i patundur.
VLEN rithekson përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe forcimin e lidhjeve institucionale me Republikën e Kosovës, duke besuar se e ardhmja e shqiptarëve është në unitet, zhvillim dhe drejtësi.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme