Tregje, ndërtesa dhe pronë në Vodno në pronësi të BFI-së

Shpërndaje

Përveç se e udhëheq jetën shpirtërore të njerëzve të besimit mysliman në Maqedoni, Bashkësia Fetare Islame në vend në disa qytete është edhe një pjesë e rëndësishme e ekonomisë, sidomos në tregti. BFI ka dyqane dhe mjedise tregtare në dhjetëra komuna në vend, në të shumtën e rasteve në çarshitë dhe në qendrat e vjetra të qyteteve. Ato janë pjesë e pronës së përgjithshme që është e regjistruar si pronë e BFI-së, e që shtrihet në një sipërfaqe prej 13 milionë metra katrorë, ose 13 kilometra katrorë, siç mund të shihet në bazën e të dhënave “Pronat fetare nën llupë“ të krijuar nga BIRN bazuar në të dhënat nga uebfaqja e Agjencisë së Kadastrës, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për 5.363 prona individuale që janë të regjistruara si pronë e kësaj bashkësie fetare, e ndonjërës nga 13 myftinitë e saj ose e xhamive lokale. Në këto prona bëjnë pjesë objekte fetare, varreza, por edhe apartamente, mjedise afariste, pyje, kullota, fusha, tokë bujqësore, objekte sporti dhe tokë ndërtimi.

Nga këto, 209 prona janë në pronësi të përzier të Bashkësisë Fetare Islame me shtetin, kompani të ndryshme ose me qytetarë, ndërsa 5.154 janë në pronësi vetëm të Bashkësisë Fetare Islame.

Për shkak të metodologjisë me të cilën Kadastra i regjistron të dhënat për pasuritë e patundshme këto prona janë prona të ndara në vende të ndryshme. Për shembull, ka ara që janë të ndara në dy ose më shumë pjesë dhe llogariten si prona të ndara, edhe pse ato kultivohen së bashku. Sa i përket ndërtesave, çdo pjesë e tyre, si për shembull kati, ballkoni, bodrumi e të ngjashme, regjistrohet si një pjesë e veçantë e pronës, edhe pse të gjitha këto funksionojnë së bashku. Nëse i shohim sipas vendndodhjes, atëherë Bashkësia Fetare Islame ka prona në 2.931 vende në mbarë vendin.

Nga tregu i qytetit e deri tek pazari i grave

Tregu i qytetit në Dibër, së bashku me një objekt të cilin e përdor një rrjet supermarketesh, është objekti më i madh afarist i BFI-së me gjithsej 2.339 metra katrorë. Ajo posedon edhe një kompleks prej rreth tridhjetë dyqanesh në Gostivar me një sipërfaqe të përgjithshme prej 668 metrash katrorë, si dhe bezistenin në Çarshinë e Shkupit me një sipërfaqe prej 545 metrash katrorë. Dyqane posedon edhe në Tetovë, Strugë, si dhe në çarshinë e Manastirit.

Bashkësia ka gjithsej 215 prona të regjistruara si lokale afariste. Kështu janë regjistruar edhe pjesë të lokaleve pranë xhamive, disa prej të cilave përdoren për nevojat administrative të BFI-së, ndërsa të tjerat për tregti ose aktivitete të tjera ekonomike.

Për shkak të mospërputhjeve në mënyrën se si regjistrohen pronat në Kadastër, nga të dhënat kadastrale nuk mund të shihen të gjitha pronat e BFI-së, të cilat përdoren për aktivitete afariste. Për shembull, tregu i famshëm i grave në Tetovë që ndodhet pranë varrezave myslimane dhe stacionit të nisjes së teleferikut është i evidentuar si “toka të tjera jopjellore artificiale”, ndërsa atje jo vetëm që kryhet tregti, por edhe myftinia lokale mbledh para nga tregtarët si qira për shfrytëzimin e hapësirës, ​​për çka është lajmëruar edhe Inspektorati Shtetëror i Tregut, siç informuan mediat në gjuhën shqipe.

Nga ana tjetër, për shkak të mospërputhjeve të ngjashme, xhamitë në Butel, Debresht, Zajas dhe vende të tjera janë të evidentuara si objekte afariste, në vend se si objekte fetare. Sipas të dhënave kadastrale BFI-ja posedon edhe dy prona të regjistruara si qendra tregtare, por njëra është një dyqan prej 27 metrash katrorë në tregun në Ohër, dhe tjetra është një tokë në një fshat në Dellçevë, në të cilën janë rritur disa pemë, por që nuk ka objekte të ndërtuara.

BFI posedon edhe objekte hotelierike dhe turistike – një restorant në Dibër dhe apartamente në Hotelin “Lakeside” në Ohër.

Ndërtesa në Tetovë dhe Kumanovë

Në pronat e BFI-së bëjnë pjesë edhe mbi 37 mijë metra katrorë hapësirë në objekte ​​banimi. Është e vështirë të përcaktohet numri i saktë i njësive individuale të banimit sepse një apartament zakonisht regjistrohet si dy ose tre njësi të veçanta pronësore (apartamenti, tarraca, bodrumi), ndërsa këtu përfshihen edhe hapësirat dhe shkallët e përbashkëta.

Megjithatë, disa prej tyre nuk janë apartamente në ndërtesa, por janë pjesë të komplekseve të xhamive dhe objekteve të tjera të regjistruara si hapësira banimi.

Një nga pronat më të rëndësishme në këtë kategori që i përket këtij komuniteti fetar ndodhet në qendër të Tetovës, rreth 300 metra larg sheshit të qytetit. Këtu, në një ndërtesë të re, BFI posedon një sipërfaqe prej 1.339 metrash katrorë, ose 14 apartamente.

Ajo ka edhe një ndërtesë në qendër të Kumanovës, të vjetër rreth dhjetë vjet, në katër kate, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.275 metrash katrorë. I gjithë objekti i përket myftinisë së Kumanovës. Në këtë objekt ka edhe dyqane.

Në fshatin Llabunisht të Strugës BFI posedon një parcelë me pesë objekte që shtrihen në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.288 metrash katrorë. Bashkësia Fetare Islame posedon nga dy shtëpi në lagjet Draçevë dhe Gazi Babë të Shkupit, si dhe një objekt të regjistruar për banim në afërsi të xhamisë në Likovë.

Edhe në këtë kategori ka prona që janë të regjistruara në regjistrin kadastral si hapësira banimi, edhe pse nuk janë të tilla. I tillë është rasti me xhamitë në Reçicë të Madhe, Reçicë të Vogël, Llopate, Çajle dhe vende të tjera, si dhe objektin administrativ të myftinisë së Tetovës.

Prona në Vodno paraqet një të pestën e pronës

Parcela më e madhe e BFI-së jashtë qyteteve, por edhe prona më e madhe në përgjithësi, është prona në shpatin në anën jugore të malit Vodno (ai që nuk mund të shihet nga Shkupi), me një sipërfaqe të përgjithshme prej dy milionë e gjysmë metrash katrorë. Kjo paraqet pothuajse 20% të pronës së përgjithshme të kësaj bashkësie. Prona ndodhet në afërsi të fshatit Çiflik dhe shtrihet pothuajse deri në majë të Vodnos.

Bashkësia Fetare Islame posedon edhe pyje në Shkup, Gostivar, Dibër, Kërçovë dhe rajone të tjera, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 3,2 kilometrash katrorë ose 0,1 të sipërfaqes pyjore në vend.

Kullotat e BFI-së shtrihen në një sipërfaqe prej rreth katër kilometra katrorë dhe gjenden në të gjithë vendin – duke filluar nga Maleshevia në lindje deri në Mavrovë, Dibër dhe Strugë në perëndim.

Ara më e madhe të cilën e posedon BFI-ja, me sipërfaqe prej 69 mijë metra katrorësh, ndodhet në Fushën e Prespës. Pronat bujqësore – ara, fusha me pemë, vreshta dhe kopshte, shtrihen në një sipërfaqe prej 1,7 kilometrash katrorë. Ato gjenden në shumicën e komunave në pjesën perëndimore të vendit, si dhe në disa komuna lindore, si Berova, Pehçeva, Radovishi dhe Strumica.

Pjesën më të madhe të pronave e përbëjnë xhamitë

Sigurisht që pjesën më të madhe të pronave të BFI-së e përbëjnë objektet fetare dhe pronat shoqëruese të tyre. Si xhami ose si objekte të tjera për kryerjen e riteve fetare ka gjithsej 1.090 prona të regjistruara në 511 vende, që shtrihen në një sipërfaqe prej pothuajse 470 mijë metra katrorësh. Këtu nuk bëjnë pjesë të gjitha xhamitë sepse disa prej tyre janë ndërtuar në tokë shtetërore dhe nuk janë të regjistruara si pronë e Bashkësisë Fetare Islame. Nga ana tjetër, BFI-ja posedon edhe një kishë në Manastir.

Sipas të dhënave të vetë BFI-së, ajo ka rreth 700 xhami.

Mbi dy milionë metra katrorë, ose 15 përqind e pronës së BFI-së janë zona të regjistruara si varreza. Krahas kësaj ajo posedon parcela të mëdha që përdoren si varreza, por në kadastër janë të regjistruara si toka jopjellore natyrore, toka artificiale ose si ndonjë kategori tjetër. Edhe pse disa nga këto prona shtrihen në një sipërfaqe deri në 50 mijë metra katrorë, nga imazhet satelitore mund të shihet se në shumë prej tyre për varrime përdoren vetëm pjesë të vogla, ndërsa pjesa tjetër janë livadhe ose toka të zbrazëta.

Në pronësi të kësaj bashkësie fetare është edhe një pjesë e kodrës pranë stacionit të nisjes së teleferikut në Tetovë me një sipërfaqe prej pothuajse 26 mijë metrash katrorë, si dhe toka pranë institucionit korrektues për të mitur në këtë qytet, ku objektet i përkasin Ministrisë së Drejtësisë. Në afërsi të institucionit ndodhet objekti  i famshëm Teqeja Arabati Baba, e cila është gjithashtu në pronësi të BFI-së.

Bashkësia Fetare Islame ka edhe shkollën dhe fakultetin e vet në fshatin Kondovë të Shkupit.

Nga ana tjetër Kisha ortodokse maqedonase Kryepeshkopata e Ohrit ka 101 kilometra katrorë pronë, për dallim nga BFI që siç e cekëm ka 13 kilometra katrorë.

KOM-KO zotëron rreth një të tretën e malit Galiçicë dhe pjesë të mëdha të anës maqedonase të Jabllanicës. Mbi 80% e pronave të KOM-KO janë pyje, livadhe dhe kullota, ose rreth 8,100 hektarë. KOM-KO ka gjithashtu 1,300 hektarë tokë bujqësore. Hapësira banesore në pronësi të KOM-KO arrin në rreth 140,000 m². Kisha ka ambiente afariste në pazaret e Shkupit, Manastirit, Ohrit dhe Prilepit. Kisha zotëron edhe hotelet “Izgrev” dhe “Biser” në Liqenin e Ohrit.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme