Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova ka uruar festën e Kurban Bajramit, përcjell TV21. Presidentja kërkon që të mbështetemi tek njëri-tjetri, të kultivojmë ndjeshmërinë dhe solidaritetin, dhe me përkushtim të punojmë për mirëqenien e të gjithë bashkëqytetarëve tanë dhe për përparimin e vendit.
“Si festë e dhurimit dhe ndihmës, Kurban Bajrami e thekson fisnikërinë e njeriut, duke na motivuar që të kujdesemi për të gjithë anëtarët e komunitetit. Si shoqëri, gjithmonë jemi dalluar për solidaritetin, unitetin, respektin dhe kujdesin, dhe këtë duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë edhe në të ardhmen”, ka shkruar mes tjerash Siljanovska.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjithashtu ka dërguar një mesazh urimi me rastin e festës myslimane të Kurban Bajramit.
“Kjo ditë e ndritshme sakrifice na kujton rëndësinë e besimit, mirësisë dhe kujdesit për të afërmin. Le të sjellin ditët festive paqe shpirtërore, shëndet dhe begati në shtëpitë tuaja. Solidariteti dhe mëshira që e karakterizojnë traditën e Kurban Bajramit le të shërbejnë si nxitje për respekt dhe unitet edhe më të madh të ndërsjellë në shoqërinë tonë multikulturore”, shkruan Gashi në urim.
Ai është i bindur se, me angazhim të përbashkët, të gjithë do të vazhdojmë të forcojmë bashkëjetesën, tolerancën dhe humanizmin në vendin tonë.
“Kuvendi mbetet një partner i përkushtuar fort në promovimin e lirisë së fesë dhe në ndërtimin e një shoqërie me mundësi të barabarta për të gjithë. Kurban Bajrami le të sjellë gëzim, prosperitet dhe bekime në çdo familje”, shkruan kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në urimin me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski ka uruar festën myslimane.
“Festa e Kurban Bajramit na kujton vlerat dhe parimet e vërteta në jetë, që janë të bëjmë vepra të mira, të ndihmojmë dhe të jemi humanë, sepse humanizmi dhe solidariteti janë cilësitë më të mëdha njerëzore. Bashkësia Islame dhe të gjithë besimtarët e saj janë pjesë e këtij shteti, prandaj është e nevojshme t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit dhe t’i respektojmë dallimet, sepse vetëm kështu do të ndërtojmë një shtet me qytetarë të lumtur dhe të kënaqur”, ka shkruar Mickoski.