Shuhet në Tetovë patriotizmi i rrejshëm i BDI-së, i gjunjëzohet Levicës pro-ruse

Shpërndaje

Gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së koalicionit VLEN, BDI ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të kontestuar legjitimitetin e këtij blloku politik pjesëmarrës në qeverinë aktuale. Retorika e saj ka qenë e njëjtë – përpjekje për ta paraqitur VLEN-in si “pa përkrahje shqiptare”, si projekt i dobët dhe i përkohshëm.

E njëjta linjë sulmesh është përsëritur edhe gjatë këtyre zgjedhjeve lokale, ku BDI, tashmë e kamufluar në koalicionin AKI, ka pretenduar se VLEN nuk ka mbështetje nga elektorati shqiptar. Fushata e tyre paraelektorale ishte e ndërtuar mbi një patriotizëm të stisur, me pretendime për “rrezikimin e të drejtave shqiptare” dhe për “shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit” – marrëveshje që vetë BDI, gjatë qeverisjes së saj mbi dy dekada, e kishte shpallur si të implementuar plotësisht.

Kjo përpjekje për të ringjallur ndjenjat nacionaliste, tashmë duket se po dështon me zë e figurë. Gërhamat e fundit të politikës së Ali Ahmetit po ndihen në Tetovë, aty ku qarkullojnë informacione dhe fotografi që dëshmojnë për takime të përfaqësuesve të BDI-së me eksponentë të partisë maqedonase Levica, e njohur për orientimin e saj të hapur pro-rus dhe anti-perëndimor.

Ky zhvillim, në vetvete, përbën një paradoks politik dhe moral për BDI-në. Partia që për vite me radhë është paraqitur si “garante e interesave shqiptare”, sot po shihet në të njëjtën tryezë me një forcë politike që publikisht ka shprehur qëndrime kundër NATO-s, kundër BE-së dhe shpesh herë edhe kundër vetë Marrëveshjes së Ohrit – dokumentit që BDI e përdori si flamur të ekzistencës së saj politike.

Në këtë mënyrë,“aduti i fundit” i Ali Ahmetit për patriotizëm po shuhet në Tetovë, duke u zëvendësuar me një koalicion të prapaskenës që bie ndesh me çdo parim që BDI dikur e pretendonte.

Në vend që të ruajë integritetin politik e kombëtar, kjo parti duket se ka zgjedhur të përqafojë çdo opsion që i siguron mbijetesë, qoftë edhe duke u gjunjëzuar para një force politike që e mohon identitetin euroatlantik të vendit.

Tetova, dikur bastioni i fortë i BDI-së, sot po bëhet skena ku përfundon një epokë e mashtrimit politik dhe fillon një vetëdije e re qytetare, e cila nuk pranon më patriotizmin e rrejshëm si monedhë votash.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme