Rrethi i dytë i zgjedhjeve, Nesimi: Levica në ofensivë propagandistike, kundër Bilall Kasamit

Shpërndaje

Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, analisti politik Florian Nesimi ka komentuar veprimet e partisë Levica, të cilat, sipas tij, po bëjnë një fushatë të koordinuar kundër koalicionit shqiptar VLEN dhe kandidatit të tij në Tetovë, Bilall Kasami.

Sipas Nesimit, Levica, e njohur për qëndrimet e saj pro-ruse dhe anti-shqiptare, po zhvillon një ofensivë të hapur propagandistike me synim kryesor dobësimin e faktorit politik shqiptar në vend.

“Levicës nuk i intereson vetëm rezultati zgjedhor në Tetovë. Ajo kërkon të minojë procesin e ndryshimit që ka nisur te shqiptarët dhe të forcojë ndikimin e strukturave të vjetra politike që kanë mbajtur gjallë sistemin e kalbur,” – thekson Nesimi.

Ai shton se vendimi i Levicës për të garuar në Tetovë, ndonëse pa gjasa reale për fitore, tregon qartë se qëllimi ishte pengimi i fitores së Kasamit që në rrethin e parë dhe krijimi i terrenit për manipulime e përçarje në balotazh.

“Në rrethin e dytë, Levica pritet të vazhdojë politikën e saj destruktive përmes portaleve dhe rrjeteve të saj mediatike, duke tentuar të ndikojë te votuesit shqiptarë dhe të dëmtojë unitetin e tyre politik,” – thekson më tej analisti.

Sipas Nesimit, fushata e Levicës është pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndaluar transformimin politik që po ndodh në kampin shqiptar, transformim që, siç thotë ai, “rrezikon interesat e forcave që e kanë ushqyer për vite sistemin e vjetër politik në vend.”

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme