Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku përmes një statusi në “Facebook”, ka vlerësuar se bashkëpunimi me BDI-në e sotme nuk është thjesht politik, është bashkëpunim me krimin!
Sipas Qokut, BDI-ja e sotme nuk është më një parti politike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por një strukturë e kapur nga krimi i organizuar, korrupsioni, hajnia dhe imoraliteti politik.
Shton se BDI-ja është rast epik dhe nuk ka asnjë parti tjetër shqiptare në të gjithë hapësirën autoktone të Ballkanit që ka arritur këtë nivel komprometimi dhe degjenerimi.
Reagimi i Qokut:
Kjo situatë, për fat të keq, përbën një pengesë serioze për çdo përpjekje të sinqertë për bashkërendim dhe bashkëpunim ndërpartiak për çështje madhore kombëtare.
BDI nuk e ka humbur vetëm kredibilitetin politik, por edhe atë moral dhe kombëtar. Pas gjithë këtyre viteve me afera, krime, vrasje, dhe skandale, sot më shumë se kurrë është e qartë se prioriteti i kreut të saj nuk është interesi i përgjithshëm, por përfitimi personal dhe familjar. Ali Ahmeti është i gatshëm të sakrifikojë çdo vlerë dhe interes të përbashkët për mbrojtjen e familjes së ngushtë të tij.
Prandaj, kushdo që bashkëpunon me këtë BDI nuk mund të quhet i paditur apo naiv – ai është bashkëpunëtor i vetë krimit, për interesa personale apo klanore.