Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami në 15 vjetorin e vdekjes, ka përkujtuar Harun Aliun i njohur si Komandant Kushtrimi poashtu Kasami ka kujtuar edhe Shaban Zenunin të njohur edhe Komandant Hoxhën, shkruan, gjurme.info.
Në shkrimin përkujtues, Kasami ka shkruar veçmas për jetën e dy komandantëve duke shtuar se u kemi borxh borxh të madh atyre që dhanë gjithçka për ne.
Sipas Kasamit, e kemi për detyrë ta ruajmë kujtimin e tyre si dritë për brezat që vijnë.
“Sot shënojmë 15-vjetorin e rënies së Komandant Kushtrimit dhe Komandant Hoxhës. Pesëmbëdhjetë vite që zemra shqiptare i kujton me mall, me krenari dhe me dhimbje dy nga bijtë më të dashur të kombit tonë. Harun Aliu, Komandant Kushtrimi, jetoi me idealin e lirisë dhe të qëndresës. Me qetësi, përkushtim dhe dinjitet, ai la një shembull fisnik se si dashuria për kombin nuk matet me fjalë, por me vepra. Shaban Zenuni, Komandant Hoxha, ishte njeri trim dhe modest. Gjithmonë në shërbim të njerëzve, gjithmonë në anën e së drejtës. Një jetë e ndershme, një rënie me nder. U kemi borxh të madh atyre që dhanë gjithçka për ne. E kemi për detyrë ta ruajmë kujtimin e tyre si dritë për brezat që vijnë. Lavdi përjetë Komandant Kushtrimit dhe Komandant Hoxhës! Nuk harroheni kurrë!”, ka shkruar Kasami, raporton gjurme.info.