Murtezani: Maqedonia e Veriut po jeton të ardhmen evropiane, tashmë jo si vizion, por si realitet konkret

Shpërndaje

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, në cilësinë e nikoqirit të panelit në kuadër të Samitit për Planin për Rritje të BE-së, që po mbahet në Shkup, ka theksuar se Maqedonia e Veriut tashmë është në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit evropian, jo si koncept abstrakt, por si realitet që ka nisur të ndërtohet hap pas hapi.

Në një postim në Facebook, Murtezani shkruan: “Kur flasim për rritje, nuk mendojmë për numra abstrakt, por për rrugë të lidhura, energji të qasshme, startup-e që qëndrojnë këtu dhe studentë që kthehen në vendin e tyre”.

Ai theksoi se vendi është i pari në rajon që ka përfunduar të gjitha procedurat ligjore për zbatimin e Planit për Rritje të BE-së dhe tashmë ka siguruar parafinancim. prej 52.4 milionë euro. Po ashtu, janë duke u zhvilluar 16 projekte reformuese, që përfshijnë fusha të tilla si sundimi i ligjit, transparenca buxhetore, transformimi digjital dhe tranzicioni energjetik.

Murtezani u shpreh se: “Reforma nuk është vetëm listë detyrash. Ajo është udhërrëfyesi ynë. Ndërsa integrimi nuk është simbolikë, por themeli mbi të cilin qëndrojmë së bashku”.

Debati në panel, i cili mblodhi bashkë përfaqësues nga rajoni, Komisioni Evropian, organizatat rajonale dhe bankat ndërkombëtare, u vlerësua si i drejtpërdrejtë dhe i përmbajtur, pa fraza boshe. “Sepse tashmë nuk flasim për plane, por për hapat që po i ndërmarrim. Për ndryshime që realisht po ndodhin”, përmbylli ministri Murtezani.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme