Mickoski: Shëndetësia do ti mbetet VLEN-it

Shpërndaje

Atë që dje e tha zëvendëskryeministri, Mexhiti, sot e konfirmoi kryeministri, Hristijan Mickoski. Pozita e ministrit të Shëndetësisë mbetet në kuadër të koalicionit VLEN. Emri i ministrit të ri ende nuk është përcaktuar, mirëpo siç tha kryeministri Mickoski, deri javën e ardhshme do të kenë një propozim, i cili do të shqyrtohet, e pastaj do të dorëzohet në Kuvend.

“Ky portofol mbetet në kuadër të koalicionit VLEN. Pres që gjatë javës së ardhshme të kemi një propozim. Mbrëmë, në mbledhjen qeveritare, kishim koordinim koalicioni. Po diskutojmë për atë që na pret në këtë periudhë dhe përfundimisht deri në fund të kësaj jave do t’i përcaktojmë zgjidhjet kadrovike dhe tashmë të hënën ose të martën do t’ua dorëzoj deputetëve në Kuvend.”, – deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Mickoski tha se si kryeministër nuk do të pranojë çfarëdo propozimi nga VLEN-i. Tha se ka të drejtë të pranojë ose të refuzojë çdo kandidat të propozuar. Ai sqaroi se nuk do të pranojë automatikisht çdo emër që vjen nga VLEN-i, por vetëm një person me të cilin mund të bashkëpunojë.

Sipas Mickoskit, pavarësisht daljes së Taravarit nga ekzekutivi, Qeveria është stabile dhe vazhdon me koalicionin VLEN.

“Qeveria është stabile, e fortë, ka dy të tretat në Kuvend dhe unë pres që të vazhdojmë me koalicionin VLEN nga aty ku doli ministri i Shëndetësisë, i cili për fat të keq e ndryshoi retorikën ditëve të fundit dhe tani është në përqafimin e atyre, të cilët dy dekada e kriminalizuan shoqërinë në Maqedoni, e plaçkitën dhe e turpëruan, por ky është vendim i tij.”, – theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Nga ana tjetër, Arben Taravari, i cili që nga dje nuk është më ministër i Shëndetësisë, sot u takua në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët thuhet se gjatë bisedës u diskutuan çështje me rëndësi për shqiptarët në rajon, si dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar në të gjitha nivelet.

Kryeministri Mickoski, nga ana e tij, nuk e konsideroi këtë takim si të rëndësishëm. E cilësoi si një takim formal që lidhet me zhvillimet rajonale dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Kujtojmë se rreth një muaj më parë, Taravari është takuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Gjatë atij takimi ndodhi edhe shtrëngimi i duarve mes Taravarit dhe Ali Ahmetit, gjë që në opinion u interpretua si sinjal për një marrëveshje të mundshme mes tyre. Kjo krijoi dyshime brenda koalicionit VLEN dhe më pas çoi në pakënaqësi dhe përçarje të brendshme.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme