Përçarja brenda koalicionit VLEN u nxit nga oportunizmi individual dhe nga politikanë të së kaluarës, të cilët frikësohen nga ndryshimi – sepse ai rrezikon interesat e tyre klienteliste.
Procesi i ndryshimit që nisëm një vit më parë u përball me sfida të mëdha, të orkestruara nga politika përçarëse dhe të financuara nga interesat e klaneve të pushtetit dhe të nëntokës. Por ne qëndruam. I rezistuam këtyre goditjeve me bindje, me qëndrueshmëri dhe me besim në drejtësinë e rrugës sonë.
Nga kjo valë e rrezikshme përçarjeje, Aleanca për Shqiptarët do të dalë më e fortë. VLEN – si frymë e re dhe forcë e ndryshimit – do të ngadhënjejë mbi të vjetrën dhe të harxhuarën. E dimë që ky proces është i vështirë dhe shpeshherë frustrues, sepse rrjetet e korruptuara ende janë të pranishme në çdo cep të shoqërisë sonë.
E megjithatë, skenari për ta përçarë dhe shkatërruar VLEN-in dështoi! Sepse ajo që na bashkon nuk janë interesat e ngushta, por fryma, parimet dhe idealet. Dhe këtyre goditjeve ne u përgjigjemi me vlera.
Sot e themi qartë: NE JEMI KËTU!
Të bashkuar rreth një ideje të madhe – luftës kundër së keqes, krimit dhe korrupsionit.
Ne jemi më të fortë se një vit më parë, sepse kemi qëllime të pastra dhe vullnet të palëkundur.
Vazhdojmë rrugën tonë për ndryshim – bashkë me Aleancën për Shqiptarët dhe pa oportunistët që i përkasin së shkuarës.
Ftoj të gjithë ata që besojnë në ndryshim, të bashkohen me ne.
Të besosh në parime dhe të luftosh për t’i mbrojtur ato – PO, IA VLEN