Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Izet Mexhiti, mori pjesë sot në konferencën rajonale “Avancimi i Infrastrukturës së Gjelbër në Ballkanin Perëndimor”, ku theksoi rëndësinë jetike të ndërtimit të infrastrukturës së qëndrueshme, duke e cilësuar atë jo si një zgjedhje, por si një domosdoshmëri.
Në konferencë mori pjesë edhe Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, ndërsa Mexhiti theksoi se infrastruktura e gjelbër është një sfidë globale që kërkon veprim të përbashkët, vizion afatgjatë dhe bashkëpunim ndërinstitucional.
“Mënyra se si i formësojmë projektet tona të infrastrukturës ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, stabilitetin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit dhe qëndrueshmërinë e komuniteteve tona përballë ndryshimeve klimatike. Investimet strategjike që marrin parasysh rreziqet klimatike dhe biodiversitetin përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, krijojnë vende të reja pune të gjelbra, nxisin inovacionin dhe kontribuojnë në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030,” deklaroi Mexhiti.
Ai gjithashtu vuri theksin në rëndësinë e integrimit të faktorëve klimatikë dhe mjedisorë në proceset e planifikimit urban dhe të vlerësimit të ndikimit në mjedis, duke shtuar se kjo qasje ndihmon në marrjen e vendimeve të informuara dhe të qëndrueshme për të ardhmen.
“Infrastruktura që i reziston goditjeve klimatike nuk mbron vetëm buxhetin dhe burimet publike, por edhe garanton siguri për brezat e ardhshëm. Disa nga hapat urgjentë përfshijnë ndërtimin dhe përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të riskut, kalimin drejt energjisë së rinovueshme, modernizimin e bujqësisë përmes ujitjes efikase dhe praktikave të mençura klimatike, si dhe rritjen e efikasitetit energjetik dhe qëndrueshmërisë sizmike të ndërtesave”, shtoi Mexhiti.
Konferenca u organizua nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Politika në Mjedis dhe Ndryshime Klimatike – IPECC Shkup, një institucion që angazhohet në promovimin e investimeve të gjelbra dhe integrimin e tyre në strategjitë kombëtare mjedisore.