Ramiz Merko, kryetar në largim i Strugës dhe një nga figurat më të rëndësishme të BDI-së i cili në këto zgjedhje kishte listë të pavarur për këshillin komunal, ka dalë sot me një deklaratë të prerë për të sqaruar spekulimet e fundit që qarkullojnë në qytet.
Në një shkrim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe mbështetësit e tij, Merko mohoi çdo mundësi të mbështetjes së kandidatëve të AKI-së në raundin e dytë të zgjedhjeve:
“Unë, Ramiz Merko, nuk do të mbështes kandidatin e AKI-së në balotazh,” theksoi ai.
Merko e cilësoi si “thashethem të ulët” çdo informacion që përpiqet të manipulojë votuesit dhe theksoi se Lista e Pavarur është një lëvizje serioze, që merr vendime pas konsultimeve të thella dhe jo bazuar në spekulime.
Ai njoftoi gjithashtu se së shpejti do të mbahet një mbledhje e Listës së Pavarur me të gjithë kandidatët dhe mbështetësit kyç, dhe pas këtij takimi do të publikohet një deklaratë zyrtare, ku do të sqarohet kandidati që Lista e Pavarur do të mbështesë në balotazh.
“Mos lejoni askënd t’ju hutojë. Vlerësoni vetëm fjalën zyrtare të Listës së Pavarur,” përfundoi Merko, duke apeluar për seriozitet, qetësi dhe besnikëri.
