Strugë, 28 tetor – Qendra për Hulumtime Politike dhe Komunikim (CRPC) ka publikuar rezultatet e anketës më të fundit për Komunën e Strugës, e cila tregon një avantazh të qartë të kandidatit të pavarur Mendi Qyra, të mbështetur nga koalicioni VLEN, ndaj kundërkandidatit të tij nga AKI, Arsim Dalipi.
Sipas kësaj ankete, Mendi Qyra gëzon përkrahjen e 51,3% të të anketuarve, ndërsa Arsim Dalipi ka marrë 43,6% të mbështetjes. Ndërkohë, 5,1% e të anketuarve janë shprehur se ende nuk kanë vendosur për kë do të votojnë ose kanë refuzuar të përgjigjen.
Anketa e realizuar në terren
Anketa është zhvilluar në terren në periudhën 26–27 tetor 2025, duke përfshirë gjithsej 395 qytetarë të Strugës, të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga të gjitha vendbanimet e komunës, urbane dhe rurale, duke marrë parasysh përbërjen etnike, përkatësinë gjinore, moshën dhe përgatitjen arsimore të tyre.
Marzha e gabimit të anketës është ±3,5%, ndërsa niveli i besueshmërisë statistikore është 95%.
Epërsi e qëndrueshme për Qyrën
Rezultatet tregojnë se Mendi Qyra ruan një epërsi të qëndrueshme dhe bindëse përballë kundërkandidatit të tij, me mbështetje që shtrihet si në qytetin e Strugës ashtu edhe në vendbanimet përreth.
Sipas analizës së CRPC-së, ky rezultat reflekton rritjen e besimit qytetar ndaj kandidaturës së pavarur të Qyrës dhe zhgënjimin me strukturat tradicionale partiake, sidomos pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale.

