Qyteti i Shkupit ka denoncuar në polici automjetin e angazhuar nga Komuna e 3airit për pastrimin dhe mbledhjen e mbeturinaeve të hedhura përreth shportave.
Kreu i Çairit, Visar Ganiu ka thënë se kjo është një ndërhyrje e papranueshme me prapavijë politike.
Thotë se do të vazhdojë me përkushtim dhe nuk do të heshtë përballë padrejtësive.
Reagimi i plotë:
Inspektorati komunal i Qytetit të Shkupit sot njoftoi policinë për të ndaluar punën e kamionit që Komuna e Çairit kishte angazhuar për mbledhjen e mbeturinave të hedhura përreth shportave dhe tentoi edhe konfiskimin e tij. E konsiderova këtë si një ndërhyrje të papranueshme dhe me prapavijë politike. Për këtë arsye thirra menjëherë një konferencë urgjente për shtyp, për t’u drejtuar me transparencë qytetarëve.
Në mungesë të veprimeve nga ndërmarrjet përkatëse, mora iniciativën të angazhojmë kompani private për pastrimin e zonave më të ndotura. Qytetarët nuk mund të jenë viktimë e pazareve politike, dhe nuk do të lejoj që ambicia për kontroll të ndotë hapësirat tona publike.
E gjithë kjo është një përpjekje për të bllokuar punën tonë dhe për të krijuar kaos mbi një çështje jetike për shëndetin publik. U bëj thirrje institucioneve që të mos na detyrojnë të ndërmarrim masa të padëshiruara – përfshirë thirrjen për mosbindje qytetare ndaj një sistemi që pengon pastrimin e qytetit.
Unë do të vazhdoj me përkushtim, por nuk do të hesht përballë padrejtësive që dëmtojnë komunitetin tonë.