Me miratimin nga Parlamenti të Ligjit të ri për angazhimin në punë të individëve, marrëdhëniet e punësimit vendosen brenda kornizave të reja. I cilësuar ndryshe edhe si ligji që lufton informalitetin lejon që ligjërisht mes të tjerash të mundësojë punësimin shtesë të një të punësuari, një të vetëpunësuari, të rinjve nën 18 vjeç të cilët, në përputhje me rregulloret e përgjithshme për marrëdhëniet e punës, plotësojnë kushtet për themelimin e një marrëdhënieje pune, studentët, pensionistët – përfituesit e pensioneve familjare dhe të moshës…. Që do të thotë se ligji rregullon punën shtesë dhe sezonale në vend, ndërkohë që personat që do të punësohen sipas kësaj marrëdhënieje nuk do t’i humbasin të drejtat e fituara sipas marrëdhënieve të tjera. Për zbatimin efikas të ligjit, parashikohet një platformë inovative softuerike – një regjistër digjital, i cili do të lidhë punëdhënësit, punëtorët dhe institucionet. Kjo platformë do të financohet nga një grant prej 200 mijë euro nga qeveria gjermane.
“Qëllimi i këtij ligji është të rregullojë punësimin e personave për të kryer punë me natyrë të përkohshme ose sezonale, me qëllim ushtrimin e të drejtave të personave të angazhuar mbi këtë bazë, përmbushjen e nevojës për punë midis punëdhënësve dhe formalizimin e punës informate”, thuhet në dokument.
Ligji krijon mundësi të reja dhe rrethana lehtësuese për punëdhënësit për të regjistruar punëtorët e tyre sezonalë ose ata të punësuar për një periudhë të caktuar. Kjo siguron që punëtorët të marrin kontribute pensioni dhe shëndetësore për punën e tyre, ndërsa shteti do të mbledhë taksat që aktualisht janë pjesë e ekonomisë gri. Është veçanërisht e rëndësishme që personat e angazhuar sipas këtij ligji të mos humbasin të drejtat e tyre të fituara tashmë, siç janë ndihma sociale, kompensimi i papunësisë, pensioni i të mbijetuarve ose i pleqërisë, si dhe bursat ose e drejta për studime me kohë të plotë. Deputeti i VMRO-DPMNE, Bojan Stojanoski, u shpreh se shteti do të paguajë taksat, pensionin dhe sigurimin shëndetësor të tyre. Në këtë mënyrë, 30 mijë punonjës të rinj do të vendosen në sistem.
“Të gjithë do të përfitojnë prej tij, përfshirë shtetin që do të mbushë buxhetin, punëdhënësit që do të jenë në gjendje të gjejnë punonjës dhe qytetarët që do të kenë mundësinë të punojnë dhe të paguhen dhe të angazhohen në fushën që duan. Përparësi do t’i jepet shërbimit të hotelerisë, bujqësisë dhe sektorit të shërbimeve, të cilat kanë mungesë të punonjësve, dhe nëse zgjerojmë aktivitetet, mund të krijohet një çekuilibër në tregun e punës. Studentët, pensionistët, personat socialisht të cenueshëm etj., do të jenë në gjendje të punojnë, gjë që, sipas ligjit, nuk ua ndërpret të drejtën për pension, ndihmë sociale ose studim, ndërsa edhe nxënësit e shkollave të mesme do të jenë në gjendje të punësohen”, ka thënë ndër të tjera deputeti. Ky ligj, i propozuar nga VMRO-DPMNE dhe i mbështetur nga disa parti parlamentare, synon t’i japë një goditje të fortë ekonomisë në hije dhe në të njëjtën kohë të përparojë të drejtat e punëtorëve.
KATEGORITË QË PËRFITOJNË NGA LIGJI
– Pensionistët
– Studentët
– Punëtorët sezonalë, veçanërisht ata të angazhuar në bujqësi, kultivimin e frutave, industrinë e ushqimit dhe shërbimeve
– Të papunë, por edhe të punësuar
– Personat nën moshën 18 vjeç që plotësojnë kushtet për punë
– Të huajt me leje qëndrimi.