Arben Taravari, dikur një nga zërat më të zëshëm kundër keqqeverisjes dhe nepotizmit të BDI-së, sot po ndjek pikërisht të njëjtën rrugë që dikur e denonconte. Pas braktisjes së koalicionit opozitar VLEN dhe lidhjes së hapur me BDI-në, Taravari po përballet me akuza të rënda për shpërblim të rrethit të tij të afërt me pozita publike.
Në qendër të këtij skandali është çifti Snopçe, Aslian Snopçe, që mban postin e shefes së Sektorit për Veprimtari Publike në Komunën e Gostivarit, dhe bashkëshorti i saj Halil Snopçe, deputet në Kuvend dhe shok i bankës së Taravarit.
Sipas burimeve nga brenda administratës komunale, ky është vetëm një rast i radhës në zinxhirin e emërimeve të bazuara në miqësi personale. “Shokët e bankës janë bërë si princat e rinj, çdo dëshirë ua plotëson Taravari, ndërsa qytetarët e zakonshëm presin në radhë për një dokument”, tha një burim që preferoi të mbetet anonim.
Aslian Snopçe është në mandatin e dytë si shefe sektori, ndërsa Halil Snopçe gëzon mandatin e dytë si deputet. Ajo që i lidh? Jo performanca, jo merita, por shoqëria e vjetër me Taravarin, i cili sot është bërë pjesë e strukturës së njëjtë që dikur e quante “regjim”.
Kritikët e cilësojnë këtë si një rikthim të modelit të vjetër të BDI-së, vetëm me emra të rinj, ndërsa qytetarët shprehin zhgënjim të thellë për atë që po shihet si tradhti ndaj votës opozitare dhe kapje e administratës nga rrethi personal i Taravarit.
Në mungesë të një reagimi zyrtar nga Taravari apo Komuna e Gostivarit, kjo çështje vazhdon të shpërndahet me shpejtësi në rrjete sociale ku qytetarët kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe fundin e kësaj maskarade politike që po bëhet mbi kurrizin e popullit.