Bilall Kasami nga VLEN ka reaguar ndaj deklaratës së Arben Taravarit, i cili dje tha se “VLEN-i sikur serviloset dhe me çdo kusht mundohet të jetë në qeveri”, shkruan TV21. Kasami thotë se në asnjë moment VLEN-i nuk e vënë në diskutim qëndrimin në qeveri, ndërsa duke komentuar takimin e djeshëm mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Taravarit, Kasami tha se kjo tregon se “kush po serviloset”.
Fatkeqësisht personi në fjalë në vazhdimësi ka kontradikta mes fjalëve dhe veprave. Ai e tha në vigjilje të takimit me kryeministrin, kur doli se në gati 3 orë kush në fakt është servilosur për të ndejtur në qeveri. Në asnjë moment ne si koalicion VLEN nuk e kemi diskutuar a do të jemi ose jo në qeveri, sepse në vazhdimësi po punojmë do të kisha thënë 24 orë për implementim të marrëveshjes së koalicionit dhe realizim të programit qeveritar. Por ata të cilët kanë pasur dilema rreth qëndrimit të tyre në qeveri dhe sigurisht që luten për të vazhduar të jenë pjesë e qeverisë, duhet të sqarohen se pse servilosen. Unë mund të garantoj që koalicioni VLEN nuk ka nevojë të serviloset për të qenë pjesë e qeverisë, sepse ka mandatin e qytetarëve”, deklaroi Kasami.