Kryetari aktual i Komunës së Tetovës dhe kandidati për mandatin e dytë, Bilall Kasami, ka vizituar punishten e mjeshtrit të njohur të filigranit, Abdylxhemil Jusufi. Gjatë vizitës, Kasami ka vlerësuar punën e mjeshtrit që po e ruan dhe e trashëgon një zanat me vlera të mëdha kulturore dhe historike.
“Zanati meriton respektin dhe përkrahjen tonë,” theksoi Kasami, duke shtuar se mjeshtri Jusufi e ka trashëguar këtë zanat nga babai i tij Ibrahimi dhe tashmë po ia përcjell dijen edhe djalit të tij.
“Ndërsa e shihja se si punon në detaje çdo copëz filigrani, kujtova se punët e mira bëhen me shumë durim dhe përkushtim,” shtoi ai.
Kasami gjithashtu theksoi se transformimi i Tetovës po vazhdon me përkushtim dhe vëmendje ndaj çdo detaji, duke nënvizuar se në mandatin e ardhshëm do të vazhdojë mbështetja për zanatet tradicionale, për kulturën dhe trashëgiminë kulturore, si dhe për zhvillimin ekonomik lokal.
“Edhe në mandatin e dytë do ta vazhdojmë përkrahjen për zanatet, për kulturën, trashëgiminë tonë dhe zhvillimin ekonomik lokal,” përfundoi Kasami.
