Struga po hyn në një etapë të re të zhvillimit infrastrukturor falë investimeve konkrete të Qeverisë së re. Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka njoftuar ndarjen e mbi 1.5 milionë eurove për rikonstruimin e rrjetit të ujësjellësit të qytetit, një ndër problemet më të vjetra dhe më urgjente për banorët struganë.
Projekti përfshin ndërrimin e gypave të vjetër të asbestit me linja të reja moderne dhe përmirësimin e të gjithë sistemit për furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm me ujë të pastër.
Në këtë aktivitet, Albrim Hoxha u shoqërua nga Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, deputeti Bekim Qoku, si dhe Kryetari i OEMVP-së, Mendi Qyra, përkrah shumë qytetarëve dhe aktivistëve lokalë. “Struga ka vuajtur për vite me radhë nga neglizhenca dhe keqqeverisja. Ky investim është vetëm fillimi i një epoke të re për qytetin. Tani është koha që t’u kthejmë qytetarëve dinjitetin dhe shërbimet që meritojnë”, theksoi Hoxha.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme lokale të mos i rikthejnë në pushtet ata që “nuk e deshën Strugën”, por të mbështesin vizionin që sjell punë konkrete, jo vetëm premtime.