Fronti Europian i hapur për bashkëpunim me deputetët e ASh-së

Shpërndaje

Pesë deputetët e ASh-së, krahu i Arben Taravarit, vazhduan veprimin e tyre parlamentar nga vendet e njëjta në Kuvend, por në një frymë opozitare. Deputeti Halil Snopçe, në një komunikim për TVM2 tha se presin që fillimisht nëntë deputetët e VLEN-it të formojnë grup parlamentar dhe më pas do të vijojë veprimi i tyre si opozitë. Megjithatë Snopçe nga foltorja e Kuvendit kishte qasje opozitare duke kritikuar qeverinë se për tre muaj nuk i ka dhënë interpretim autentik propozim-ligjit për qeverisje lokale, i cili ul numrin e këshilltarëve komunal duke u bazuar vetëm në banorët rezidentë. Kërkesa e tij për tërheqjen e propozim-ligjit nga rendi i ditës u refuzua nga shumica.

“Nuk mund të eliminojmë impaktin e mërgimtarëve, votën e tyre, në përcaktimin e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve. Duke marrë parasysh këtë dhe kjo ka lidhje të drejtpërdrejtë me ligjin e propozuar. Unë nuk e kuptoj pse Qeveria edhe mbas tre muajve nuk ka dhënë mendim në lidhje me kërkesën tonë për interpretimin autentik.”, – deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.

Fronti i hapur për bashkëpunim me ASh-në

Cili do të ishte bashkëpunimi i tyre me Frontin Evropian, nga ky bllok opozitar paraprakisht janë shprehur të hapur për bashkëpunim, por duke mos shpalosur detaje.

“E përshëndetëm hapin e tyre, sa i takon reflektimit dhe asaj që u dëshmua se faktikisht shqiptarët janë të margjinalizuar dhe se nuk janë plotësuar nevojat e tyre në Qeveri. Kështu që si do të vazhdojë më tej bashkëpunimi, ne jemi opozitë. Ata do të veprojnë njësoj si opozitë në të ardhmen, do të tregojë koha, besoj.”, – theksoi deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholli.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme