Gjykata në Strugë e shpalli fajtor kryetarin e Komunës Ramiz Merko, për veprën penale “mospërmbushje e detyrës zyrtare”, në rastin me parregullsitë gjatë emërimit të ushtruesve të detyrës së drejtorëve në shkollat fillore komunale në fshatrat Llabunishtë, Radozhdë dhe Podgorcë.
Gjykatësi Jordan Jovanov i shqiptoi një gjobë që arrin afërsisht 10 mijë euro në kundërvlerë në denarë.
Duke e arsyetuar vendimin, gjykatësi theksoi se, ndryshe nga aktgjykimi i mëparshëm lirues në çështjen për blerjen e automjetit luksoz “Audi A6”, në këtë rast Merko ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Arsimin Fillor.
Ai sqaroi se Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka konstatuar shkelje në emërimet e drejtorëve, të cilët nuk janë zgjedhur nga radhët e të punësuarve, pa shpallje konkursi dhe pa përvojën e nevojshme prej pesë vjetësh.
Prokuroria ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit.