Durmishi: Inflacioni është përgjysmuar

Shpërndaje

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, iu përgjigj sot pyetjeve të deputetes së LSDM-së, Jovana Trençevska, duke theksuar se të dhënat zyrtare flasin ndryshe nga propaganda opozitare.
“Vetëm në gusht inflacioni ishte 4,4% në nivel vjetor, ndërsa çmimet me pakicë shënuan rritje minimale prej 0,2% krahasuar me muajin korrik. Këto janë shifra që tregojnë qartë se politikat ekonomike po japin rezultate dhe se qytetarët nuk po përballen më me tronditjet e çmimeve si dikur”, tha ministri Durmishi.

Ai rikujtoi se në vitin 2022 inflacioni kishte arritur deri në 14,2%, ndërsa në vitin 2023 ishte rreth 9,4%, periudhë kur LSDM-ja dhe BDI-ja ishin në pushtet. “Atëherë qytetarët e paguan më shtrenjtë koston e paaftësisë së tyre. Sot, inflacioni është më shumë se përgjysmuar dhe i mbajtur në nivel normal, në kuadër të standardeve evropiane”, shtoi ai.
Durmishi tha se Qeveria po ndërmerr masa konkrete: çmime të rregulluara kur ishte e domosdoshme, subvencione për më të rrezikuarit dhe shporta shkollore për çdo nxënës që ul shpenzimet familjare deri në 2.000 denarë.

“Ndryshe nga opozita që ndante subvencione pa strategji dhe uli prodhimin vendor të ushqimit duke e bërë vendin të varur nga importi, ne po tregojmë përgjegjësi dhe po mbrojmë standardin e qytetarëve”, përfundoi Durmishi.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme