Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka marrë pjesë sot në panelin “Ndikimi dhe përballja me sfidat e tendencave demografike”, ku ka prezantuar vizionin dhe qasjen e ministrisë që ai udhëheq për të adresuar një nga sfidat më të mëdha të kohës: zhvendosjen e të rinjve, rënien e natalitetit dhe plakjen e popullsisë.
Sipas ministrit Durmishi, këto nuk janë vetëm sfida sociale, por edhe sfida ekonomike që ndikojnë drejtpërdrejt në tregun e punës, në produktivitet dhe në zhvillimin afatgjatë të vendit.
“Përgjigjja jonë është e qartë: investim në kapitalin njerëzor, masa aktive të punësimit dhe zhvillim ekonomik lokal”, u shpreh Durmishi.
Ai theksoi se vetëm gjatë vitit 2025, përmes Planit Operativ për Punësim, pritet të mbështeten mbi 16.000 qytetarë me masa konkrete për punësim dhe vetëpunësim.
Ministri gjithashtu nënvizoi se qasja e Qeverisë synon të ndërthurë ekonominë, arsimin dhe zhvillimin rajonal, në mënyrë që të krijohen kushte dhe mundësi reale në çdo pjesë të vendit. “Ky është vizioni ynë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të drejtë për të gjithë”, përfundoi Durmishi.