Çfarë përfiton Kosova nga marrëveshja për tregti të lirë me EFTA-n?

Shpërndaje

Nëse një prodhues vendës kosovar është detyruar të paguajë një tarifë shtesë doganore prej 10 për qind për t’i eksportuar mallrat e veta në një vend me mërgatë të madhe, si Zvicra, nga tani ai, lëre më që nuk do të paguajë çmim shtesë, por nuk do të paguajë fare tarifë doganore.

Këtë e ka mundësuar një marrëveshje e saponënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), ku, përveç Zvicrës, bën pjesë edhe Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia.

Heqja e tarifave është një nga lehtësitë që do t’i gëzojnë kompanitë kosovare që eksportojnë apo duan të eksportojnë në vendet anëtare të EFTA-s, me të cilën Kosova e nënshkroi më 22 janar një Marrëveshje për Tregti të Lirë, më pak se tri vjet pasi i hapi bisedimet me këtë organizatë.

Marrëveshja ofron shumë mundësi, përfshirë ato për importimin dhe eksportimin e mallrave. Konsumatorët dhe kompanitë mund të gëzojnë çmime më të lira, ndërsa kompanitë vendëse mund t’i shesin produktet e tyre më me lehtësi në tregjet e huaja.

Marrëveshja u mundëson kompanive në vendet kontraktuese qasje të ngjashme ose më të mirë sesa konkurrentët e tyre nga vendet e treta, sipas EFTA-s.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje nënkupton shumë për Kosovën.

“Marrëveshje të tilla, për një treg të vogël, siç është Kosova, duhet të kenë qëllim strategjik sa më shumë, sepse kjo u ndihmon investimeve të huaja, sepse çdo investitor që vjen në Kosovë i prodhon dhe eksporton mallrat në këto vende të EFTA-s”, pohon Rafuna.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i bindur pas nënshkrimit të marrëveshjes në Davos të Zvicrës se ajo “do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët e të gjitha vendeve [palë]”.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme