Në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Tetovë, ka reaguar ish-gazetari Muhamed Ajeti.
Ai vë në dukje se kandidati Bajram Rexhepi, i cili pas raundit të parë mbeti pas me mijëra vota, po kërkon mbështetje politike nga Levica.
Ajeti thekson se kjo aleancë, bëhet me qëllimin e uljes së diferencës mes Rexhepit dhe Kasamit.
“Tetova është në prag të një beteje politike ku maskat po bien njëra pas tjetrës. Bajram Rexhepi, i cili pas raundit të parë mbeti prapa me mijëra vota, tani po kërkon oksigjen politik. Dhe ja ku shfaqet “shpëtimtarja” e majtë, Levica. Kjo parti, që deri dje predikonte kinse drejtësi sociale e barazi, papritur është shndërruar në ventil politik për Rexhepin, duke e futur ne lojë një aleance që s’ka as logjikë, as moral. Dhe keta tani duan ta shesin këtë si “bashkëpunim qytetar”, ashtu si ne zgjedhjet parlamentare”, shkruan Ajeti.
Sipas Ajetit kjo është një manovër e dëshpëruar për të ndalur një fitore të pastër të Bilall Kasamit.
“Bajram Rexhepi mund të ndihet i ndihmuar, por ndihma e Levicës është si oksigjeni artificial: të mban gjallë për pak, por nuk ringjall dot asnjë kauzë të humbur. Merreni si të doni, por nga sa shoh unë, kjo është alternativa e vetme që i ka mbetur Bajram Rexhepit. PS. Dhe sa për të larguar çdo keqkuptimi:Shkrimet e mia nuk porositen e as paguhen nga askush. Prandaj i lejoj vetes luksin e rrallë, të mendoj dhe të shkruaj pak me ndryshe dhe pa ndikim nga “faktori i jashtëm”, shkruan mes tjerash Ajeti.
