Shefi i shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka vlerësuar se mobilizimi i madh që po ndodh në Tetovë dhe në gjithë vendin është dëshmi e një vale të re ndryshimi që po merr gjithnjë e më shumë forcë dhe përmasa.
Në një reagim të tij, Azizi theksoi se entuziazmi dhe uniteti i qytetarëve në çdo cep të vendit janë shenjë e qartë e vullnetit për zhvillim, drejtësi dhe dinjitet.
“Me këtë mobilizim të jashtëzakonshëm që po ndodh në Tetovë dhe gjithandej, entuziazmi dhe uniteti që po shohim çdo ditë në çdo cep të vendit janë dëshmi e një vale të re ndryshimi që po bëhet gjithnjë e më e fuqishme,” – tha Azizi.
Ai kujtoi se rezultati 11-1 për VLEN-in nga raundi i parë më 19 tetor ishte vetëm fillimi i këtij procesi, ndërsa shprehu bindjen se më 2 nëntor kjo fitore do të zgjerohet dhe do të shndërrohet në 15-1, si vulë e vullnetit të qytetarëve për një të ardhme më të mirë.
“Tetova, e bashkuar me komunat e tjera që qëndruan në këtë rrugëtim, po dëshmon se kur njerëzit bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët, asgjë nuk mund t’i ndalë,” – shtoi më tej shefi i shtabit zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi.
Ky mesazh vjen në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve, ku VLEN synon të forcojë më tej pozitat e saj në komunat shqiptare dhe të konfirmojë besimin e qytetarëve për ndryshim.
