Arifi: BDI drejt humbjes së plotë në zgjedhjet lokale!

Shpërndaje

Njohësi i rrethanave politike dhe një nga themeluesit e Aleancës për Shqiptarët, Latif Arifi vlerëson se BDI-ja është duke shkuar drejtë humnerés dhe se partia e Ahmetit do ti humbë zgjedhjet lokale, njofton gjurme.info

Shkrimi i plotë:

Pas më shumë se dy dekadash në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ndodhet përballë një momenti kritik. Nga një forcë që dikur përfaqësonte aspiratat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sot perceptohet gjerësisht si një strukturë e vjetruar, e konsumuar dhe e shkëputur nga realiteti i qytetarëve.

Arsyet janë të shumta, por mbi të gjitha lidhen me një bilanc zhgënjyes qeverisjeje, mungesë rezultatesh konkrete, abuzime të përsëritura dhe perceptim gjithnjë në rritje për korrupsion të thellë. Edhe pas 20 vitesh në pushtet, BDI nuk ka arriti të përfundojë as dy nga 12 kilometrat e autostradës që do të lidhte shqiptarët me Kosovën. Në shumë fshatra e qytete shqiptare mungojnë kanalizimet, uji i pijshëm dhe shkollat funksionojnë në kushte të papranueshme. Simbolik është rasti i Zajazit, fshati i Ali Ahmetit ku nuk ekziston as kanalizimi bazik.

Më serioze se mungesa e rezultateve është mungesa e reflektimit dhe reformës së brendshme. Emrat e njëjtë vazhdojnë të qarkullojnë në poste kyçe: Fatmir Besimi, Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Ramiz Merko, figura të pandryshuara që mbajnë pozitat jo përmes votës së lirë, por përmes afërsisë me liderin. BDI ka humbur çdo frymë të re, çdo ide të re dhe, më së shumti, çdo lidhje me të rinjtë shqiptarë.

Edhe në pushtetin lokal, tabloja është po aq e zymtë. Shumë komuna nën drejtimin e BDI-së janë futur në borxhe miliona euro, ndërsa investimet publike kanë qenë minimale dhe shpesh të financuara nga vetë qytetarët. Fondet e alokuara nga Qeveria dhe donatorë të ndryshëm të jashtëm kanë përfunduar në rrugë të dyshimta dhe shërbimet bazike mungojnë, duke lënë plagë të thella në kujtesën e qytetarëve.

Përballë kësaj gjendjeje, BDI po përpiqet të shmangë disfatën përmes manovrave politike të dëshpëruara si afrimi me figura të konsumuara si Arben Taravari dhe Ziadin Sela. Por ky koalicion i sforcuar nuk gëzon as përkrahje të gjerë dhe as legjitimitet në terren.

Shkëputja masive nga Aleanca për Shqiptarët pas rreshtimit të Taravarit dhe Selës me BDI-në, është tregues i qartë i këtij refuzimi. Trungu themelor i Aleancës, themeluesit, strukturat bazë dhe shumica e anëtarësisë, e kanë braktisur këtë linjë politike dhe janë rreshtuar me projektin opozitar VLEN. Ky grupim përfaqëson jo vetëm vlerat e fillimit, por edhe një besnikëri të rrallë ndaj kauzës politike. Janë njerëz që nuk i nënshtrohen shantazheve, nuk blihen dhe nuk bëjnë kompromis me dinjitetin në pazaret e BDI-së.

Faktet në terren flasin qartë në zgjedhjet parlamentare të fundit, koalicioni VLEN doli fitues në shumicën dërrmuese të komunave shqiptare,Tetovë, Gostivar, Çair, gjithë Pollogun, dhe shumicën e zonave ku shqiptarët janë shumicë. Përjashtim bënë vetëm zonat e përziera me komunitete të tjera si turq, romë apo torbeshë.

Për më tepër, në komunat tona sot, po ndodhin ndryshime konkrete. Vetëm në Gostivar janë duke u realizuar mbi 17 projekte të prekshme, ndërsa në të gjitha komunat tjera shqiptare ka një valë të re investimesh infrastrukturore, arsimore dhe zhvillimore, një dinamikë që nuk është parë më parë në këtë shkallë. Kjo është dëshmi e një paradigme të re të qeverisjes së VLENIT më efikase, më transparente dhe më afër qytetarëve.

Ndërkohë, retorika e përfaqësuesve të BDI-së dhe “Aleancës së mbetur” po shndërrohet në një grotesk politik. Sekretari i Taravarit, i mbetur praktikisht i vetëm në degën e Sarajit, deklaron se do të fitojnë të gjitha komunat shqiptare, një deklaratë që nuk bind askënd. Kjo tingëllon më shumë si vetëqetësim i një strukture që ndien pashmangshmërinë e humbjes.

Duke parë këtë realitet, zgjedhjet lokale të tetorit mund të sjellin një përmbysje historike. BDI jo vetëm që ka humbur mbështetjen në shumicën e komunave shqiptare, por nëse ruhet ky trend, rrezikon seriozisht të mos fitojë asnjë. Madje, edhe me ndihmën e “patericave” të dy segmentëve të mbetur të Aleancës, kjo nuk mjafton për të rikthyer besimin qytetar.

Fitorja e VLEN nuk do të jetë thjesht produkt i dështimeve të BDI-së, por shprehje e një modeli të ri politik që sjell qeverisje me përgjegjësi, projekte të prekshme dhe një përfaqësim dinjitoz për shqiptarët. Kjo është ajo që kërkon shoqëria sot jo thjesht ndërrim figurash, por ndërrim kursi.

Koha e rrjeteve klienteliste, premtimeve boshe dhe frikës si mjet politik po perëndon. Dhe nëse qytetarët e konfirmojnë këtë ndryshim në tetor, atëherë nuk do të kemi thjesht fitore, por një fitore morale për gjithë shoqërinë , për shqiptarët që kërkojnë të çlirohet nga politika e zhvatjes dhe të ecë përpara me dinjitet.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme