Shkruan: Latif Arifi – Anëtarë i kryesisë qendrore – ASH
Nuk ishte qëllimi im të merresha me disa figura që, për nga pesha politike dhe historia në Aleancë, nuk përbëjnë as shënim në fund të faqes. Janë emra të tillë që zakonisht nuk meritojnë as vëmendje, e lëre më përgjigje. Por ja që ndonjëherë heshtja keqkuptohet si pranim, dhe në emër të së vërtetës, më duhet t’u drejtohem, jo për t’i ngritur, por për t’ua treguar vendin me ftohtësi dhe qartësi.
Sepse Aleanca për Shqiptarët nuk është as strehë për turistë politikë, as eksperiment për ambiciozë pa rrënjë. Dhe nuk mund të lejoj që historia dhe dinjiteti i kësaj partie të deformohen nga ata që nuk kanë qenë aty kur ajo ndërtohej me betejë e sakrificë.
Aleanca nuk është çadra e turistëve politikë, as fushë eksperimentesh për humbësit e partive të tjera
Sot, përreth Arben Taravarit janë grumbulluar disa emra pa histori, pa legjitimitet dhe pa kontribut në Aleancën për Shqiptarët. Janë figura të politikës shqiptare turistë politikë që kanë lëvizur nga një dështim në tjetrin, dhe tani kërkojnë të strehohen në Aleancë, jo për ta forcuar atë, por për të përfituar prej saj.
Këta njerëz nuk kanë qenë kurrë pjesë e ndonjë beteje të vërtetë të kësaj partie. Nuk i kemi parë kur Aleanca përballej me makinerinë e BDI-së, kur sulmohej, izolohej e përbuzhej. Nuk i kemi parë në rrugë, në takime, në përplasje publike, në betejat për dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve. Ata nuk kanë qenë askund kur shkruhej historia e Aleancës me mund e sakrificë. E megjithatë, sot duan të flasin në emër të saj, si “mbrojtës” të partisë që nuk e kanë ndërtuar.
Ironia është se këta personazhe janë jo vetëm të paktë në numër, por edhe të padëgjuar nga elektorati. Zëri i tyre është i zbrazët sepse nuk ka mbështetje. Nuk mund të rishkruajnë historinë e Aleancës ata që dikur i qëndronin anash, e madje i bënin opozitë. Nuk mund të mbrojnë një kauzë njerëz që u afruan vetëm atëherë kur panë mundësi për pushtet e privilegj.
Aleanca është ndërtuar nga njerëz që nuk u përkulën, që folën kur të tjerët heshtën, që qëndruan në vijën e parë kur ishte më së vështiri. Pikërisht ata sot po largohen nga Taravari, jo për inat personal, por për të mbrojtur shpirtin e vërtetë të kësaj partie, parimet, dinjitetin dhe misionin e saj.
Sot, Aleanca është nën kërcënimin e deformimit. Nuk mund të kthehet në pronë të një njeriu e një grushti të ardhurish. Nuk mund të shitet për mandate, as për pozita. Sepse kjo parti u ndërtua mbi djersën e shumë njerëzve, jo mbi llogari personale.
E vërteta është kjo: Aleanca për Shqiptarët nuk ka nevojë për figura që sot vihen në rresht për Taravarin, por për njerëz me kontribut, me qëndrueshmëri dhe me moral politik. Nuk mbrohet partia me statuse dhe deklarata të boshatisura, por me vepra dhe qëndrim. Dhe historia e saj do të vazhdojë të shkruhet nga ata që ishin aty kur ishte më e vështira , jo nga ata që sapo kanë ardhur dhe as nuk e dinë çfarë është sakrifca!