
Lajme
Bejadin Ameti: BFI, Gjykata Kushtetuese dhe BDI po dëmtojnë dinjitetin e myslimanëve në Maqedoni

- Share
- Tweet
Iniciativa për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame (BFI), përmes një reagimi të fortë të kryesuar nga Prof. Dr. Bejadin Ameti, ka akuzuar institucionin e BFI-së, Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), për “depersonalizim, deinstitucionalizim dhe sulm ndaj dinjitetit të myslimanëve” në vend.
Sipas Iniciativës, BFI po dështon të adresojë problemin e thellë me shkollën e mesme teologjike “Medreseja Isa Beu”, duke shpikur fajtorë të jashtëm për situatën e krijuar. Sipas reagimit, ky problem daton që nga viti 2008, kur arsimi i mesëm u bë i detyrueshëm për të gjithë, çka ndikoi negativisht edhe në funksionimin e medresesë. Ajo u kthye në një shkollë të zakonshme, që ofronte diploma pa siguruar përgatitje të mirëfilltë teologjike.
Bejadin Ameti ka kritikuar ashpër vendimin e Shaqir Fetahut për të shfuqizuar Medresenë 600-vjeçare dhe për të krijuar një shkollë private me të njëjtin emër, duke e quajtur këtë akt “manipulativ dhe të mbështetur nga një vendim i pakuptimtë qeveritar”.
Ai gjithashtu kërkon ndryshimin rrënjësor të ligjit për kishat, bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, si dhe transformimin e Komisionit për Marrëdhëniet me Bashkësitë Fetare, për ta bërë atë një organ aktiv dhe efektiv që mund të rikthejë autoritetin dhe cilësinë e Medresesë.
Për më tepër, Ameti ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, për ruajtjen e sekularitetit të shtetit, duke e cilësuar si shprehje të thellë injorance dhe mungesë të kuptimit të konceptit të sekularizmit. Ai ka kritikuar ashpër edhe gjykatësit e tjerë, duke i quajtur “xhahila me diploma”.
Në fund, Ameti ironizon me reagimin e vonuar dhe të vetmuar të BDI-së për çështjet që prekin BFI-në dhe myslimanët. Ai e akuzon këtë subjekt politik për kapjen e BFI-së që prej vitit 2013 dhe për heshtje ndaj padrejtësive që janë bërë gjatë 22 viteve të qeverisjes.