Pas vendimit të Aleancës për Shqiptarët për të dalë nga qeveria, brenda këtij subjekti politik duket se ka nisur një valë lëvizjesh të ethshme për të ruajtur kohezionin dhe për të parandaluar shpërbërjen e strukturave.
Figurat kyçe që kanë zgjedhur të qëndrojnë pranë liderit Arben Taravari janë hedhur në ofensivë politike, duke organizuar takime me qëllim për të amortizuar pakënaqësitë dhe për të shmangur ikjet e mëtejshme nga partia.
“Takim koordinues për aktivitetet e ardhshme me kryetarët e degëve të Zonës VI. Gati për Fitoren e Tetorit!”, ka shkruar Gadaf Uzairi, kryetar i degës së Tetovës, duke tentuar të japë mesazhin e një strukture të mobilizuar.
Nga Shkupi, edhe figura të tjera të ASH-së përpiqen të përçojnë idenë e unitetit. “Sonte në Selinë e ASH-së në Shkup, së bashku me nënkryetarin e zonës 1 Dr. Idriz Orana mbajtëm një takim me kryetarët e zonave 1 dhe 2 me ç’rast u konfirmua edhe një herë se strukturat e Aleancës për Shqiptarët janë më se të unifikuara dhe qëndrojnë fuqishëm pas lidershipit të ASH-së dhe pas liderit të partisë Dr. Arben Taravari”, ka shkruar Gëzim Kadriu nga ASH-Kumanovë.
Pavarësisht këtij mobilizimi, burime brenda partisë bëjnë me dije se klima është e tensionuar. Të gjitha nivelet e partisë, përfshirë edhe forumin rinor, shfaqin shenja paniku në përpjekje për të ruajtur një imazh koherence.
Lëvizjet e fundit janë interpretuar nga analistët si tentativë për të ndaluar një shpërbërje të mundshme të strukturës në prag të zgjedhjeve të tetorit, në një kohë kur një pjesë e elektoratit dhe e funksionarëve duket se ka filluar të vërë në pikëpyetje drejtimin e partisë.