Kasami: Shkolla të reja dhe kushte më të mira – prioritet i mandatit të dytë

Shpërndaje

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njëherit kandidat për mandatin e dytë nga koalicioni VLEN, së bashku me bartësin e listës për Këshillin Komunal, Albi Qamilin, sot zhvilluan një takim të veçantë me dy figura të shquara të arsimit tetovar, Nijazi dhe Behije Bexhetin.

Për më shumë se 43 vite, çifti Bexheti ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e gjeneratave në shkollën “Naim Frashëri”. Nijaziu, përveçse arsimtar i përkushtuar, ka qenë edhe drejtues i shkollës, duke lënë gjurmë të forta në arsim dhe shoqëri.

Në këtë takim, u diskutua Strategjia për zhvillimin e arsimit, të cilën Kasami dhe Qamili e prezantuan sot si pjesë e vizionit për “Kapitullin e dytë” të Tetovës. Strategjia parasheh ndërtimin e shkollave të reja, mësim me një ndërrim dhe kushte më moderne për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Kjo strategji është vetëm një segment i vizionit tonë për Tetovën. Përveç arsimit, ne kemi plan të qartë për zhvillim në infrastrukturë, kulturë dhe mirëqenie. Të gjitha këto së bashku do ta bëjnë Tetovën një qytet më të denjë për brezat e ardhshëm,” theksoi Kasami.

Me këtë vizion, kryetari Kasami dhe bartësi i listës, Albi Qamili, shpalosin një platformë të qartë për zhvillimin e gjithanshëm të qytetit, duke ftuar qytetarët të bashkohen për t’i dhënë hov Tetovës në mandatin e ardhshëm.

Lajmet e fundit

Lajme të ngjajshme