BDI PËR MOMENTIN MBETET VETËM OPOZITË KONSTRUKTIVE: NUK HYN NË QEVERI, E AS NUK DEL NË PROTESTA!

Fundjavën e kaluar, me rastin e votimit të Ligjit për Qeverinë, ku BDI përkrahur propozimin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski për ministri të reja, u paraqitën interpretime se mund të ketë kthesë të madhe në negociata dhe partia e Ali Ahmetit mund të bëhet në ndonjë formë pjesë e qeverisë së re. Mirëpo këto interpretime dhe shpresa janë shuar, pasri deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antoni Milloshovski për Gazetën Express mohon të ketë pasur ndonjë takim mes përfaqësuesve të VMRO-së dhe Frontit Europian, ku do të ishte diskutuar një gjë e tillë.

Ai për Gazetën Express thotë se çështja e koalicionit qeverisës është kryer dhe se propozimi për qeverinë e re mes VMRO-VLEN-ZNAM, do të dorëzohet në Kuvend më 17 qershor.

Milloshovski hedh poshtë të gjitha zërat për “pazare” me Frontin Europian në tërësi, ndërkaq nuk përjashtoi mundësinë për zhvillime të bisedimeve me deputetë të ndryshëm nga partitë tjera për të arritur shumicë stabile në Kuvend me mbi 80 deputetë.

BDI dhe Fronti Evropian megjithatë janë paraqitur me një strategji të re, që ndryshe nga që pritej, paralajmëron sjellje të tyre konstruktive në opozitë, shkruan Zhurnal. Kjo tregon se në një të ardhme më të afërt nuk do të ketë protesta, e as ndonjë bllokadë në Kuvend dhe në institucione tjera, përfshirë Kuvendin.

Edhe ministri aktual i Drejtësisë Krenar Lloga, i cili është pjesë e koalicionit Fronti Europian, ka folur në lidhje me mbështetjen e deputetëve të tyre për propozimin e VMRO-DPMNE-së për riorganizimin e ministrive. Lloga në një intervistë për “360 shkallë”, tha se kanë pasur takim me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe kanë vendosur në mënyrë unanime që të mbështesin këto ndryshime ligjore.

“Para se të bëhej një votim i tillë për ndryshimet në Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore, pak ditë më parë kishim një mbledhje të koalicionit “Fronti Europian” me përbërje më të gjerë të kryetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të partive, në të cilat jemi informuar se ka ftesë nga VMRO-DPMNE në pushtet ose ndonjë lloj ftese përmes palëve të treta. Kemi diskutuar dhe një nga pyetjet ka qenë se si do të veprohet, pra a duhet të ulemi të flasim apo të udhëhiqemi nga ajo që tashmë është shpallur, pra të vazhdojmë të kërkojmë legjitimitet. Është diskutuar dhe është arritur mendimi unanim se duhet të ulemi me VMRO-DPMNE-në dhe të hapen të gjitha çështjet”, tha Lloga.

Kjo ftesë e VMRO-DPMNE-së, sipas Llogës – anëtar i Aleancës për Shqiptarët e Ziadin Selës, ka qenë e përgjithshme dhe jo vetëm për ndryshimet në ligjin për riorganizimin e ministrive.

“Ka qenë kërkesë e përgjithshme, sepse ne i dhamë mandat një deputeti të koalicionit tonë, ku përfaqësuesi ynë ishte Elmi Aziri, i cili u ul në Kuvend dhe aty u ngritën dy çështje kyçe – njëra ishte për amendamentet e këtij ligji dhe tema tjetër ishte për krijimin e një komisioni ad-hoc në parlament, i cili dy herë në vit do të japë raport se sa është zbatuar balancuesi”, tha Lloga.

Me këtë, qeveria Mickovski fiton një hapësirë për të funksionuar në kushte të qeta dhe pa presione, për të zbatuar përcaktimet programore të qeverisë së tij, shkruan Zhurnal. Nëse kjo qetësi do të zgjasë 100 ditët e para, 6 muuaj, ose gjatë gjithë mandatit katërvjeçar, varet në masë të madhe si nga vendimet e Frontit Evropian, poashtu edhe nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila nëse konsolidon radhët e veta pas debaklit të përjetuar, me siguri do të fillon të bëjë “zhurmë opozitare”./Zhurnal

 


Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *