Ajo që deri dje dukej si “bashkëpunim strategjik” mes Ali Ahmetit dhe Arben Taravarit, sot po zbulohet si një pazar politik i mbushur me gënjeshtra dhe mashtrime. Nëpër takime të mbyllura me aktivistët e ASH-së, Taravari mburrej se ka marrë 6 komuna të sigurta nga marrëveshja me Ahmetin.
Por kur doli lista e vërtetë kishte marrë vetëm 4. E prej tyre, 2 janë më shumë iluzion se realitet, as votuesit s’i konsiderojnë të sigurta!. Burime të afërta me zhvillimet e brendshme në Front tregojnë se Ali Ahmeti, me stilin e tij të vjetër politik, i ka thënë në mënyrë të tërthortë Taravarit: “2 e 2 n’mend”.
Kjo ka shkaktuar tronditje të madhe në radhët e ASH-së, ku jo pak aktivistë tashmë po ndihen të tradhtuar dhe të mashtruar nga marrëveshja e paqartë me BDI-në. Disa struktura të ASH-së madje kanë nisur të flasin për “gllabërim të heshtur” të partisë nga ana e Ahmetit, ku Taravari po përdoret si fasadë dhe po lë pa komuna edhe vetë njerëzit e tij.
Prej 6 komunave të premtuara, Taravarit i kanë mbetur në dorë 4 hije. Nëse kësaj i shtojmë Sarajin që po i dorëzohet Blerand Ramadanit me duart e BDI-së, dhe Likovën ku Ahmeti i ka thënë “as në ëndërr s’e sheh”, atëherë krejt loja del e qartë: Taravari është futur në një pazare ku numrat s’janë më politikë por mashtrim i pastër.